Site icon Telegrafi

Shënohet dita e shkollës “Xhafer Gashi” në Përçevë të Klinës

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, bashkë me drejtorin e Arsimit, Qemajl Sejdijen, mësimdhënës, nxënës, veteranë të arsimit dhe qytetarë, ishin të pranishëm sot në shënimin e Ditës së Shkollës “Xhafer Gashi” në Përçevë.

Kjo ditë ka një domethënie të veçantë për banorët e këtij fshati, pasi shkolla mban me krenari emrin e dëshmorit të kombit, Xhafer Gashi, birit të këtij fshati.

Në fjalimin e tij, Elezaj theksoi rëndësinë e 7 Marsit, ditës që festohet me dashuri dhe nderim në çdo familje shqiptare, pasi pikërisht më këtë datë të vitit 1887 u hap mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë, e cila u bë një qendër e rëndësishme edukimi dhe patriotizmi për shqiptarët.

“Dita e mësuesit është një moment i rëndësishëm për të kujtuar dhe nderuar mësuesit dhe rilindësit që dhanë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në përhapjen e dijes dhe në ndihmën e zhvillimit të arsimit shqiptar,” – tha Elezaj.

Aktivitetet e sotme përkujtuan gjithashtu dhe mësuesit që kontribuuan në zhvillimin e arsimit në këtë fshat, ndërsa u shpreh mirënjohje për kontributin e tyre të vyer./Telegrafi/

Exit mobile version