Site icon Telegrafi

Shënohet 30 vjetori i “Elkos Group”, në pesë vitet e ardhshme qarkullimi vjetor pritet të jetë 2 miliardë e 500 milionë euro (Video)

Në prezencën e qindra mysafirëve, rrjeti i qendrave “Elkos Group”, ka shënuar 30 vjetorin e themelimit. 

Drejtori i rrjetit të qendrave Elkos, Ramiz Kelmendi ka prezantuar rrugëtimin e tij të deritanishëm në botën e biznesit, duke ndarë me të pranishmit momente të sfidave dhe suksese që ka kaluar ndër vite.

Ai para të pranishmëve ka theksuar se suksesi i kompanisë të cilën e drejton tash e tri dekada, nuk është meritë vetëm e tij, por se pjesë e arritjeve të këtij biznesi janë familja dhe bashkëpunëtorët e tij.

Biznesmeni pejan ka prezantuar edhe potencialin aktual te kësaj kompanie, duke mos harruar të ndajë me ata që ishin prezentë edhe projeksionet e këtij biznesi që pritet të arrihen sipas tij, në pesë vitet e ardhshme.

“Qarkullimi për vitet 2016/2017 i kompanisë tonë ka qenë mbi 2 miliardë euro, me 2787 të punësuar, tatime të paguara me një shifër rreth 292 milionë dhe më një sipërfaqe të punës rreth 360 mijë metra katrorë. Projeksioni jonë në periudhën pesëvjeçare 2018 – 2023 presim që të arrijë në 2 miliardë e 500 milionë qarkullim, ku do të rrisim edhe numrin e të punësuarve”, ka shtuar Kelmendi.

Më një fjalë rasti pjesëmarrësve i është drejtuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili ka thënë se kompania Elkos është njëra nga tatimpaguesit që kontribuojnë më së shumti në buxhetin e vendit.

Haradinaj nuk ka harruar t’ia urojë edhe ditëlindjen drejtorit të kompanisë, Ramiz Kelmendi, i cili i ka mbushur 60 vjet.

“Ka qenë guximi i tij personal, një punë vetëmohuese, një angazhim çdo herë i pandalur që e ka mundësuar rritjen ekonomike. Ajo që na bënë krenar të gjithë neve është fakti se Kosova ka një kompani me këta parametra që u treguan dhe kjo është krenari e gjithë neve” , tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se falë këtij angazhimi kjo kompani sot operon edhe në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi. /Telegrafi/

 

Exit mobile version