Site icon Telegrafi

Shënohet 25-vjetori i masakrës mbi familjen Muliqi në Abri të Epërme

Në 25- vjetorin e masakrës nga forcat e armatosura serbe mbi familjen Muliqi, në Abri të Epërme të Drenasit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe në nderim të jetës së tyre.

Kryeministri Kurti theksoi se ishin sot aty për të treguar solidaritetin institucional e kombëtar, qytetar e njerëzor me familjen Muliqi, me bacën Asllan edhe me familjen Deliu dhe të gjitha familjet e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë, të cilët i dhanë kaq shumë Kosovës për liri e për pavarësi, për çlirim e për bashkim.

Teksa kujtoi edhe vrasjen e 23 të vrarëve nga forcat oserbe, në të njëjtin fshat, në masakrën më 26 shtator 1998, deklaroi se as për këtë masakër, e as për vrasjet në Abri të Epërme më 30 mars 1999, nuk ka asnjë të akuzuar e as të dënuar. Kryeministri ftoi Prokurorinë e Shtetit që me krejt çfarë kanë e dinë, të angazhohen maksimalisht ditë e natë në mënyrë që ata vrasës për të cilët ka edhe dëshmitarë të gjallë, të ndiqen të akuzohen e të dënohen.

“Me keqardhje më duhet sërish të konstatoj që as për vrasjet, 23 të vrarët e masakrës në Abri të Epërme më 26 shtator 1998, dhe as për vrasjet e masakrës sërish në Abri të Epërme, më 30 mars 1999, nuk ka asnjë të akuzuar e as të dënuar, ndonëse u bënë plot vite që Kuvendi i Republikës së Kosovës me plotësim ndryshimin e ligjit dhe më pastaj Ministria e Drejtësisë me të gjithë mekanizmat e elementet përkatës e ka mundësuar edhe akuzën, edhe gjykimin, edhe dënimin në mungesë”, tha Kurti.

Bashkë me kryeministrin Kurti në homazhe ishin edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci si dhe zëvendësministri i MPB-së, Blerim Gashani./Telegrafi/

Exit mobile version