Telegrafi

Shënohet 18 vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës

Policia e Kosovë sot ka shënuar përvjetorin e 18-të themelimit të saj në një ceremoni solemne të mbajtur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë, përfaqësues nga ICITAP-i, OSBE-ja, zyrtarë të Policisë e të pranishëm të tjerë.

Lidhur me të arriturat dhe rezultatet e Policisë së Kosovës dhe sfidat e përgjithshme që ka pasur ky institucion gjatë këtyre 18 viteve të zhvillimit të saj dhe profesionalizimit, nga një fjalë rasti mbajtën drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni si dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni.

Me rastin e shënimit të këtij përvjetori për pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët janë dalluar me meritat e tyre në kryerjen e detyrës janë ndarë: 6 medalje për shpëtim jete, 1 medalje për shërbim të dalluar, 15 medalje policore për lëvdim, 24 lëvdata dhe 8 mirënjohje.

Po ashtu gjatë ceremonisë janë graduar edhe 17 zyrtarë nga grada Major në gradën Nënkolonel.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj, në zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës së vendit, garantimin e rendit dhe sigurisë, në mënyrë që të ofrojë një shërbim efikas policor dhe profesional ndaj të gjithë qytetarëve”, u tha në këtë ceremoni.