Telegrafi

Shënoni kalendarët, Netflix publikon datën e fillimit të sezonit të ri të “La Casa De Papel”

(Foto: Screenshot/Netflix)

Hit seriali i Netflix, “La Casa De Papel” (i njohur edhe si “Money Heist”), do të kthehet me sezonin e katërt në vitin e ardhshëm.

Sezoni i tretë i këtij seriali përfundoi në mënyrë teatrale duke shtuar akoma më shumë pritjen e fansave për sezonin e radhës. Përmes një videoje të publikuar, Netflix ka bërë të ditur se sezoni i ri, i katërti me radhë, do të nisë transmetimin nga 3 prilli i vitit 2020.

“Money Heist”, që ndryshe njihet si “La Casa de Papel”, është një serial televiziv spanjoll i zhanrit krim-dramë. I krijuar nga Alex Pina, fillimisht ishte ideuar që të publikoheshin disa episode në disa pjesë.

Origjinali u emetua në 15 episode në rrjetin spanjoll Antena 3 nga maji deri në shtator të vitit 2017. Kah fundi i atij vitit, Netflix i mori të drejtat e transmetimit global, me ç’rast vazhdoi deri në tri sezone.

Xhirimet e sezonit të katërt kanë përfunduar në korrik të vitit 2019 dhe do të shfaqen për publikun nga prilli i vitit të ardhshëm, porse dilema është nëse ky do të jetë apo jo sezoni i fundit i serialit. /Telegrafi/