Site icon Telegrafi

Shefi i Zyrës së BE-së mirëpret deklaratën e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit, kërkon të ekzekutohen të gjitha vendimet

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka konstatuar se ka moszbatim të vendimeve të Gjykatës lidhur me çështjen e Manastirit të Deçanit.

Para 4 vitesh, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Banorët e Deçanit dhe zyrtarët komunalë patën zhvilluar disa protesta në vitin 2013, duke thënë se manastiri është objekt kulti i shqiptarëve e jo i serbëve.

Lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Szunyog thotë se e mirëpret deklaratën e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e Manastirit  të Deçanit.

“E mirëpres deklaratën e sotme të Gjykatës Kushtetuese që kërkon nga autoritetet e Kosovës të ekzekutojnë të gjitha vendimet e mëparshme të Gjykatës, dhe vendimin për moszbatim të dy vendimeve, përfshirë vendimin e vitit 2016 në rastin e pronës së Manastirit e Deçanit. Dështimi në ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese shkel si Kushtetutën ashtu edhe parimet themelore të sundimit të ligjit”, ka deklaruar ai.

Tutje, Szunyog u ka bërë  thirrje autoriteteve të ndërmarrin hapa për të siguruar që vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë vendimin që lejon regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit, si dhe vendimet e tjera të autoriteteve gjyqësore, të ekzekutohen menjëherë dhe në mënyrë arbitrare.

“BE -ja është e përkushtuar për zhvillimin e Kosovës. Respektimi i sundimit të ligjit dhe vendimeve gjyqësore është një vlerë themelore evropiane dhe çelësi për çdo përparim. Nga kjo përfitojnë të gjithë në Kosovë. Qëllimi ynë është i qartë. Ne e shohim Kosovën me një perspektivë evropiane, duke ndarë vlera të përbashkëta”, thotë ai. /Telegrafi/

 

Exit mobile version