Telegrafi

Shefi i BE-së në Kosovë shprehet i habitur dhe i zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

Pas vendimit të Këshillit Prokurorial për të votuar Blerim Isufajn për Kryeprokurori të Shtetit, ka reaguar shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ai është shprehur i zhgënjyer dhe i habitur për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit.

Szunyog, përmes llogarisë në Twitter, ka thënë se BE-ja në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor.

E sipas tij, Këshillit Prokurorial shpërfilli këto parime.

“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Bashkimit Europian për të siguruar një zgjedhje të drejtë transparente dhe të bazuar në merita për Kryeprokuror të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin e përzgjedhjes duke shpërfillë këto parime. Jemi të habitur dhe të zhgënjyer me këto veprime të KPK-së”, ka deklaruar ai.

Lexo po ashtu Këshilli Prokurorial voton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit

Të mërkurën tri organizata të shoqërisë civile i kanë kërkuar presidentes të mos e dekretoj Isufajn për kryeprokuror të vendit.

Në një raport të publikuar më 24 mars 2022 nga Koalicioni i OJQ-ve, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL me titull  “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, ky koalicion ka rekomanduar të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri.

Po ashtu edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte kërkuar kthim në pikën zero të këtij procesi.

Konkursi për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit ishte shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës më 12 janar 2022, kjo pasi Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati më 21 prill 2022./Telegrafi/