Shefi ekzekutiv i Programit të Kombeve të Bashkuara për Ushqim (WFP), David Beasley i ka reaguar pronarit të Teslas, Elon Musk lidhur me atë se nëse 6 miliardë dollarët e tij do ta zgjidhnin problemin e urisë në botë.
Beasley me anë të një shkrimi në Twitter ka thënë se, kjo vlerë e thënë nga Musk nuk e zgjidh këtë problem, por se do të shpëtonte 42 milionë njerëz që janë në prag të mbijetesës.
“Përshkrimi nuk është i saktë. Gjashtë miliardë dollarë nuk do të zgjidhin urinë në botë, por do të parandalojnë paqëndrueshmërinë gjeopolitike, migrimin masiv dhe do të shpëtojnë 42 milionë njerëz që janë në prag të mbijetesës. Një krizë e paprecedentë dhe për shkak të COVID-19/konflikteve/ngrohjes botërore”, ka shkruar Beasley, përcjell Telegrafi.
.@elonmusk! Headline not accurate. $6B will not solve world hunger, but it WILL prevent geopolitical instability, mass migration and save 42 million people on the brink of starvation. An unprecedented crisis and a perfect storm due to Covid/conflict/climate crises.
— Cindy McCain (@WFPChief) October 31, 2021
Gjatë të dielës, Musk ka thënë se nëse 2 për qind e pasurisë së tij do ta zgjidhte problemin e urisë në botë, atëherë do t’i shesë aksionet e kompanisë.
“Nëse WFP-ja mund të përshkruajë këtë temë në Twitter saktësisht se si 6 miliardë dollarë do ta zgjidhin urinë në botë, unë do të shes aksionet e Teslas tani dhe do ta bëj. Por, duhet të jetë kontabilitet i hapur, në mënyrë që publiku të shohë saktësisht se si shpenzohen paratë”, kishte reaguar Musk pasi Beasley pati thënë se një grup i vogël i multimiliarderëve mund të zgjidhë çështjen e urisë në botë, me vetëm një përqindje të vogël të pasurisë.
“Gjashtë miliardë dollarë për të ndihmuar 42 milionë njerëz, që do të vdisnin nëse nuk i përkrahim. Nuk është e komplikuar”, pati thënë ai.
Dy përqindëshi i pasurisë së Musk prej 289 miliardë dollarë, i bie të ishte 6 miliardë dollarë, që sipas WFP-së është e mjaftueshme për të zgjidhur problemin e urisë në botë. /Telegrafi/