Telegrafi

Shefi i NATO-s lë të kuptohet se Finlanda dhe Suedia mund t’i bashkohen aleancës ndaras

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka thënë se është më e rëndësishme që Finlanda dhe Suedia t’i bashkohen aleancës ushtarake shpejt sesa në të njëjtën kohë.

Deklarata e tij e fundit vjen mes tensioneve midis dyshes (Finlandës dhe Suedisë) dhe Turqisë, e cila ka refuzuar të ratifikojë aplikimin e anëtarësimit të vendeve nordike.

Duke folur para një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në selinë e aleancës në Bruksel të martën, Jens Stoltenberg tha se “çështja kryesore nuk është nëse Finlanda dhe Suedia ratifikohen së bashku”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Pyetja kryesore është që ata të dy të ratifikohen si anëtarë të plotë sa më shpejt të jetë e mundur”, u tha ai gazetarëve.

Komentet e Stoltenberg shënuan pranimin e parë të hapur nga NATO se të dy vendet mund t’i bashkohen aleancës veçmas pasi ata braktisën dekada të mos-angazhimit dhe aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n pas agresionit të plotë të Rusisë në Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar.

Aplikimet e tyre përkatëse për anëtarësim janë ratifikuar nga të 30 vendet anëtare të aleancës transatlantike, me përjashtim të Hungarisë dhe Turqisë, me të fundit që shihet gjerësisht si pengesa kryesore për anëtarësimin e tyre.

Ndryshe, një miratim unanim kërkohet që çdo vend të bëhet anëtar i ri.

Ndërkohë presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka treguar se vendi i tij mund të ratifikojë kërkesën e Finlandës edhe pse vazhdon të bllokojë atë të Suedisë.

“Qëndrimi ynë për Finlandën është pozitiv, por nuk është pozitiv për Suedinë”, u tha ai parlamentarëve turq në fillim të shkurtit.

Ankaraja ka akuzuar qeverinë në Stokholm se është shumë e butë ndaj grupeve që i konsideron si organizata “terroriste” ose kërcënime ekzistenciale, duke përfshirë grupet kurde. /Telegrafi/