Site icon Telegrafi

Shefi i Hezbollahut thotë se do të vazhdojnë konfrontimet me forcat izraelite në kufirin me Libanin deri në fund të ofensivës izraelite në Gaza

Shefi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah është zotuar se do të vazhdojë me konfrontimet me forcat izraelite në kufirin me Libanin deri në fund të ofensivës izraelite në Gaza.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Nasrallah po mbante një fjalim televiziv për të shënuar një javë nga vdekja e një komandanti të lartë të Hezbollahut në një sulm izraelit në Libanin jugor.

Ai tha se “vetëm një armëpushim në Gaza” do të hapte mundësinë e një fundi të kryqëzimit të zjarrit në kufirin Liban-Izrael.

“Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë pas kësaj”, shtoi ai.

Udhëheqësi i mbështetur nga Irani kritikoi Uashingtonin për sulmet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Jemen këtë javë që synonin ndalimin e sulmeve të Houthi-ve në një rrugë kryesore tregtare të anijeve në Detin e Kuq.

Nasrallah, i cili është një aleat kryesor i Houthi, tha se sulmet do ta kthenin Detin e Kuq “në një fushë beteje”.

“Kërcënimet [amerikane] nuk do të na ndalojnë”, tha Nasrallah, duke iu referuar rrjetit të grupeve të armatosura të mbështetur nga Irani që përfshin Libanin, Irakun, Sirinë dhe Jemenin.

Nasrallah theksoi se Izraeli po “mbytej në dështim” ndërsa ofensiva në Gaza hyri në ditën e saj të 100-të të dielën.

“Izraeli nuk ka arritur as qëllimet e tij të deklaruara dhe as qëllimet e tij të padeklaruara”, vlerëson Nasrallah.

Ndërsa duke komentuar kërcënimet e fundit nga kabineti i luftës i Izraelit për të zgjeruar luftën në Liban, Nasrallah pati një ton sfidues.

“Janë izraelitët ata që duhet të kenë frikë nga lufta… ne nuk do të qëndrojmë duarkryq ndërsa Izraeli godet Libanin”, tha udhëheqësi i Hezbollahut. “Për 99 ditë, ne jemi përgatitur për luftë … nuk kemi frikë”.

Fjalët e tij vijnë pasi, në kufirin verior të Izraelit me Libanin, po rritet frika se ato që dikur ishin sulme të ashpra midis Izraelit dhe forcave të Hezbollahut në një rreze prej katër kilometrash të rajonit kufitar mund të zgjerohen më tej. /Telegrafi/

Exit mobile version