Site icon Telegrafi

Shefat e “Oscars” njoftojnë se ceremonia do të mbahet – përkundër raportimeve që ajo mund të anulohej për shkak të zjarreve në L.A.

Përkundër spekulimeve për anulimin e ceremonisë më të madhe të industrisë filmike, organizatorët e çmimeve “Oscars” kanë vendosur që mbrëmja e ndarjes së çmimeve të mbahet më 2 mars 2025.

Zjarret masive në Los Angeles, që kanë shkaktuar humbjen e jetëve dhe shkatërrimin e mijëra shtëpive, kishin nxitur raportime se ceremonia mund të cilësohej si e papërshtatshme për situatën tragjike.

Sipas një raporti të publikuar nga The U.S. Sun, ishte përfolur për një strategji sekrete për anulimin e ceremonisë, për të shmangur perceptimin si “të papërfillshëm ndaj krizës”, shkruan DailyMail.

Megjithatë, burime nga Akademia e Filmit kanë mohuar kategorikisht këto pretendime, duke theksuar se nuk ekziston asnjë komitet këshillues që përfshin emra të njohur si: Tom Hanks, Meryl Streep, Steven Spielberg dhe Emma Stone, siç ishte raportuar.

Lexo po ashtu Publikohen nominimet për 'BAFTA 2025', cilët filma e aktorë u nominuan këtë vit?

Vendimet e Akademisë merren nga një bord prej 55 anëtarësh, ku përfshihen edhe katër persona që kanë humbur shtëpitë e tyre në zjarre.

Në një vendim të fundit, bordi ka vendosur të shtyjë shpalljen e nominimeve dhe të zgjasë afatin për votim.

Aktivitete të tjera të lidhura me ceremoninë, si dreka e nominimeve dhe çmimet tekniko-shkencore, janë anuluar ose shtyrë.

Por, konsensusi është që ceremonia kryesore të mbahet, me një format të përmbajtur dhe që do të përfshijë mbledhje fondesh për viktimat e zjarreve.

Një burim anonim ka deklaruar për The U.S. Sun se shqetësimi kryesor i Akademisë është të mos duket sikur po festojnë në një kohë kur banorët e Los Angeles-it po përballen me humbje dhe dhimbje të thellë. Për këtë arsye, prioriteti kryesor do të jetë përqendrimi në mbështetje dhe ndihma humanitare.

Për më tepër, bordi ka vendosur të eliminojë paketat luksoze të dhuratave për të ftuarit, të cilat zakonisht përfshijnë udhëtime të shtrenjta, bizhuteri dhe trajtime ekskluzive. Këto dhurata, me një vlerë prej 171,000 dollarësh, janë cilësuar si “të papërshtatshme” për situatën aktuale.

Nominimet për “Oscars 2025”, të cilat fillimisht priteshin të shpalleshin më 14 janar, tani janë shtyrë për 23 janar. Afati për votim është zgjatur deri më 17 janar, për të lejuar anëtarët e Akademisë më shumë kohë për të dhënë votat e tyre.

Në një letër drejtuar anëtarëve, Akademia shprehu ngushëllime të thella për të gjithë ata që janë prekur nga zjarret shkatërruese në Kaliforninë Jugore: “Shumë nga anëtarët dhe kolegët tanë të industrisë jetojnë dhe punojnë në zonën e Los Angeles-it. Jemi me ju dhe ju mbështesim në këtë kohë të vështirë.”

Akademia gjithashtu bëri të ditur se aktivitetet si shfaqjet e shortlist-ave dhe Bake-Off-et do të përshtaten në përputhje me rrethanat.

Pavarësisht sfidave të mëdha, drejtuesit e Oscarëve janë të vendosur që ceremonia të shërbejë si një platformë për solidaritet dhe mbështetje ndaj komunitetit të prekur nga zjarret tragjike. /Telegrafi/

Exit mobile version