Telegrafi

Shearer: Është e padrejtë t’i jepet titulli Liverpoolit, kampionati duhet shpallur i pavlefshëm nëse nuk kompletohet

Alan Shearer (Foto: Catherine Ivill/Getty Images/Guliver)

Edhe pse Liverpooli është 25 pikë përpara pozitës së dytë në tabelë në garën për titullin e Ligës Premier, Alan Shearer konsideron se do të ishte e padrejtë që Redsat të shpalleshin kampionë pa përfunduar sezoni.

Kampionati anglez është pezulluar deri më 3 prill si pasojë e coronavirusit, ndërsa akoma nuk dihet se kur mund të rinisë sezoni i futbollit.

Kjo ka bërë që zëvendëskryetari i West Ham Unitedit, Karren Brady, të sugjerojë përfundimin e kampionatit kështu siç është. Megjithatë, legjenda e Newcastle United mendon se Liverpooli nuk i ka mbledhur pikët e nevojshme dhe do të ishte herët që t’i jepej titulli.

Alan Shearer në vitin 1996 (Foto: Getty Images/Guliver)

“Nëse – dhe është një nëse e madhe – sezoni nuk mund të kompletohet, atëherë nuk mund të kesh një fitues ose humbës. Do të ishte e ashpër dhe e tmerrshme për disa klube, sidomos për Liverpoolin”.

Lexo po ashtu Liverpooli ka reaguar pas pezullimit të Ligës Premier shkaku i coronavirusit

“Nëse nuk mund t’i kompletosh ndeshjet, atëherë nuk mund të japësh tituj ose të rrëzosh dikë nga liga”, ka shkruar Shearer për The Sun duke shtuar se edhe pse ka nevojë vetëm për gjashtë pikë, Liverpooli nuk duhet shpallur kampion para kohe.

Sipas tij, nëse nuk mund të përfundohet kampionati, atëherë duhet të shpallet i pavlefshëm, sepse lideri i tabelës nuk e ka fituar matematikisht titullin. /Telegrafi/