Telegrafi

SHBA zbulon paketën e re në vlerë të 250 milionë dollarëve ndihmë ushtarake për Ukrainën

Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin, ka njoftuar se armë të tjera amerikane me vlerë të 250 milionë dollarëve do të dërgohen në Ukrainë.

Bëhet e ditur se armët përfshijnë municione të mbrojtjes ajrore dhe artileri.

“Ne po punojmë gjithashtu me aleatët dhe partnerët për të ndihmuar Ukrainën të krijojë sigurinë e saj afatgjatë”, tha Lloyd gjatë një konference për shtyp, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Siç raportohet, udhëheqësit e mbrojtjes të 50 vendeve partnere që mblidhen rregullisht për të koordinuar ndihmën për Ukrainën, sot kanë mbajtur një takim në Gjermani.

Austin tha se grupi synonte të ndihmonte Ukrainën “të ndërtonte një të ardhme të besueshme luftarake”, e cila përfshin rritjen e prodhimit të armëve të Kievit dhe sigurimin e saj me aeroplanë luftarakë F-16.

Megjithatë, Austin ka sugjeruar se nuk do t’i kushtojë vëmendje kërkesës së Ukrainës për të lejuar përdorimin e armëve amerikane brenda territorit rus. /Telegrafi/