Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë marrë vendim për sanksione ndaj Nexhat Krasniqit, ish-drejtorit të Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.
Në njoftimin e bërë nga ambasada e SHBA-së në Prishtinë, thuhet se Krasniqi ka keqpërdorur pozitën e tij publike duke pranuar ryshfet, transmeton Telegrafi.
“Shtetet e Bashkuara po e caktojnë Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, si përgjithësisht të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh. Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka keqpërdorur pozitën e tij publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës që lejonte ndërtimin e një parku industrial në komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni”, thuhet në njoftim.
Tutje, në njoftim thuhet se SHBA është e angazhuar për luftimin e korrupsionit, i cili dëmton interesin publik.
“Ky vendim riafrimon përkushtimin e SHBA-së për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike, pengon prosperitetin ekonomik të shteteve dhe zvogëlon aftësitë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të shtetasve të tyre”. /Telegrafi/