Site icon Telegrafi

Kërcënojnë SHBA-të: Nëse miratohet ligji për Ushtrinë, do ta rivlerësojmë bashkëpunimin me FSK-në

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth procedimit të projektligijgit për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

Përmes një deklarate të Ambasadës Amerikane në Prishtinë thuhet se SHBA-të janë të shqetësuar për ndryshimin e mandatit të FSK-së, pa një amendament kushtetues.

Madje, në fund të deklaratës thuhet se “Miratimi i ligjit të propozuar tani do të na detyronte që ta rivlerësojmë bashkëpunimin tonë dypalësh me forcat e sigurisë të Kosovës, si dhe ndihmën tonë afatgjatë për këto forca”.

Kjo është deklarata e plotë:

Deklaratë nga Ambasada e SHBA-ve lidhur me Procesin e Transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për synimin e paralajmëruar të Kosovës për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) pa amandament kushtetues.

Ne e mbështesim transformimin gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike në përputhje me standardet e NATO-s.

Megjithatë, ky transformim duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës dhe përfaqësues që pasqyron demokracinë shumetnike të Kosovës.

Ne jemi të gatshëm të angazhohemi në një proces këshillues me të gjithë hisedarët për ta arritur qëllimin tonë të përbashkët për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mënyrë të tillë që e rritë sigurinë e Kosovës, i kontribuon stabilitetit rajonal, dhe që përkrahë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik.

Miratimi i ligjit të propozuar tani do të na detyronte që ta rivlerësojmë bashkëpunimin tonë dypalësh me forcat e sigurisë të Kosovës, si dhe ndihmën tonë afatgjatë për këto forca. /Telegrafi/

Exit mobile version