Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi të mërkurën në ligj një paketë ndihme që ofron ndihmë thelbësore ushtarake për Ukrainën, duke mbyllur muaj të tërë negociatash dhe debatesh.
Paketa e ndihmës, e miratuar nga Senati vonë në mbrëmjen e së martës dhe me vlerë 95 miliardë dollarë në total, përfshin gati 61 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, 26 miliardë dollarë për Izraelin dhe 8 miliardë dollarë për Indo-Paqësorin, përcjell Telegrafi.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë pas nënshkrimit të projektligjit të mërkurën, Biden tha se ishte një “ditë e mirë për Amerikën, një ditë e mirë për Ukrainën dhe një ditë e mirë për paqen botërore”.
Paketa e ndihmës, tha Biden, “do ta bëjë Amerikën më të sigurt. Do ta bëjë botën më të sigurt. Dhe vazhdon lidershipin e Amerikës në botë”.
Nënshkrimi i paketës së ndihmës ishte kulmi i negociatave të tensionuara muajsh dhe lobimi personal nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Konservatorët e vijës së ashpër të Dhomës së Përfaqësuesve kundërshtuan financimin e mëtejshëm të SHBA-së për Kievin.
Dhe efektet e projekt-ligjit pritet të ndihen shpejt në fushat e betejës në Ukrainë, ushtarët e së cilës janë përballur me mungesë municioni dhe humbje në fushën e betejës në mungesë të ndihmës së SHBA-së këtë vit.
Madje, Biden tha se dërgesat e furnizimeve ushtarake në Ukrainë do të fillojnë “në orët e ardhshme” dhe do të përfshijnë pajisje të mbrojtjes ajrore dhe municione për sistemet e artilerisë dhe raketave, së bashku me automjete të blinduara.
Në këtë drejtim, Pentagoni njoftoi se një paketë ndihme prej 1 miliard dollarësh do të shkonte në Ukrainë vetëm pak çaste pasi Biden nënshkroi ligjin. /Telegrafi/