Telegrafi

BE-SHBA punojnë bashkërisht në uljen e tensioneve në Ballkan

Bashkimi Evropian dhe SHBA-të po bëjnë përpjekje që marrëdhëniet e ashpërsuara në Ballkanin Perëndimor të drejtohen kah qetësimi dhe bashkëpunimi rajonal, kanë thënë në BE dhe NATO burime diplomatike në Bruksel.

Pjesë e kësaj, i kanë thënë agjencisë Beta në Bruksel këto burime, është ftesa e shefes së diplomacisë evropiane për kryeministrat e Ballkanit Perëndimor nesër në Bruksel për të biseduar për rajonin në dritën e zhvillimeve më të reja, me qëllim që bashkërisht të shikohet se si mund të ecet përpara.

Zëvendës ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee do të ketë një vizitë në Serbi, i cili para vizitës në Kongresin amerikan tha se Ballkani nuk është më në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe nëse lihet anash do të ketë kërcënim për interesat amerikane në Evropë.

“Zhvillimi shqetësues” në Ballkanin Perëndimor ishte temë diskutimesh edhe ndërmjet vetë liderëve të BE-së, ndërsa Gjermania, e cila për dallim nga shumica e anëtareve të Unionit, edhe më tej i kushton vëmendje rajonit dhe tash duket se është e vetmja, e cila po përgatit platformën e re politike për të parandaluar humbjen e stabilitetit dhe sigurisë në këtë rajon.

Këtë analizë dhe platformë po e përgatisin bashkëpunëtorët e shefit të diplomacisë gjermane Sigmar Gabriel dhe pritet të diskutohet për të, nëse jo në takimin e ministrave të BE-së në qershor, atëherë në takimin BE-Ballkani Perëndimor, më 12 korrik në Trieste.