Telegrafi

SHBA përkrah transformin e FSK-së në ushtri të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin tranformimin transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin tranformimin transparent të FSK-së në ushtri profesionale, multietnike e ndërvepruese me NATO-n, e cila do të kishte të drejtën e mbrojtjes së territorit. Asnjë vend nuk mund ‘të vendosë veto’ për këtë transformim”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, në pyetjen e RTK2 se cili është qëndrimi i administratës amerikane lidhur me aprovimin e amndamenteve të Komisionit për Punë të Brendshme të Parlamentit të Kosovës për Draft-ligjin për transformimin e FSK-së në ushtri.

“I ftojmë liderët politikë të Kosovës të sigurojnë që ky process të vazhdojë në mënyrë gjithëpërfshirëse, që dëshmon natyrën multietnike të Kosovës. Rëndësi të veçantë ka që Kosova tani e tutje të bashkëpunojë ngusht me aleatët e NATO-s dhe të angazhohet së bashku me të gjithë qytetarët që ky transformim të përparojë”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës amerikane për RTK2.