Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përshëndetur zyrtarizimin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, duke e cilësuar këtë si një ditë historike.
Ambasada amerikane, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke përshëndetur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ka cituar një pjesë të deklaratës së Departamentit të Shtetit lidhur me këtë ngjarje “Kur partnerët tanë janë të bashkuar, Shtetet e Bashkuara janë më të forta. Urime #Kosovë & #Izrael”.
Ndërsa, Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një deklarate në Twitter, e ka quajtur ditë historike vendosjen e marrëdhënieve mes dy shteteve.
“Urime Izraelit dhe Kosovës për krijimin zyrtar të marrëdhënieve diplomatike – një ditë historike. Kur partnerët tanë janë të bashkuar, Shtetet e Bashkuara janë më të forta. Lidhjet më të thella ndërkombëtare ndihmojnë më tej paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Lindjen e Mesme”, ka shkruar Ned Price, zëdhënës i Departamentit të Shtetit, transmeton Telegrafi.
Edhe ish-emisari special amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka quajtur të mrekullueshme ditën e sotme, ku Kosova dhe Izraeli vendosën zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike.
Grenell, përmes një postimi në Twitter, u shpreh mirënjohës ndaj ministres së Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj, ish-presidentit Donald Trump dhe sekretarit të ri amrikan të Shtetit Antony Blinken.
Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si “historik”.
Në një ceremoni virtuale të mbajtur të hënën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera. /Telegrafi/