Në ditën e parë të qëndrimit në shtetin e Illinois, kryeministri Albin Kurti, zhvilloi takim me themeluesin dhe drejtorin ekzekutiv, Adam Zeck, dhe drejtoren e Shitjeve, Marketingut dhe Operacioneve, Jeta Zagragja, e kompanisë UCX.
Kjo kompani, që nga maji i vitit të kaluar, ka filialin e saj edhe në Kosovë.
UCX është kompani lidere në SaaS (Software as a service) që u ofron shërbime mbi 2500 bizneseve të ndryshme që të zgjerojnë kapacitetet e tyre të shitblerjes online (E-Commerce).
Ajo është një nga kompanitë e para teknologjike që ka bërë investim serioz në Kosovë, duke u besuar operacione kryesore të kompanisë profesionistëve të rinj të vendit tonë.
Me përvojën e deritanishme dhe të drejtpërdrejtë me sektorin e Teknologjisë së Informacionit në Kosovë, UCX paraqet mundësi të mirë të promovojë potencialin e vendit tonë në industrinë e teknologjisë dhe inovacionit.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeminsitrit, Kurti gjatë bisedës tha se qeveria e tij e mbështet zhvillimin dhe rritjen e potencialit dhe kapaciteteve të TI.
Ai i falënderoi drejtuesit e saj për mikpritjen dhe investimet e tyre në Kosovë, si dhe i ftoi ata që gjithmonë ta kenë në konsideratë Kosovën në planet e tyre të zgjerimit, transmeton Telegrafi.