Site icon Telegrafi

SHBA ka rrëzuar një raketë që supozohet se u lëshua nga Houthi-t në drejtim të forcave amerikane

Një aeroplan luftarak amerikan ka rrëzuar një raketë e cila u gjuajt nga Jemeni drejt forcave amerikane në Detin e Kuq, ka njoftuar Komanda Qendrore e SHBA-së.

“Raketa u rrëzua në afërsi të bregut Hudaydah nga aeroplanët luftarak amerikanë”, tha ushtria amerikane në një postim në X.

Nuk raportohet për të lënduar apo dëme, por grupi militant Houthi nuk e pranoi menjëherë sulmin.

Megjithatë, ky llogaritet si shënjestrimi i parë i konfirmuar nga Houthi që kur SHBA-ja dhe Britania e Madhe filluan sulmet ndaj militantëve.

Operacioni i përbashkët amerikano-britanik ka goditur 28 lokacione dhe më shumë se 60 objektiva në Jemen me raketa, bomba, anije luftarake, dhe një nëndetëse.

Është e paqartë nëse SHBA-ja do të hakmerret për sulmin e fundit, megjithëse presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se “nuk do të hezitojë të ndërmarrë masa të mëtejshme për të mbrojtur popullin amerikan dhe rrjedhën e lirë të tregtisë ndërkombëtare”. /Telegrafi/

Exit mobile version