Site icon Telegrafi

SHBA ka ‘prova’ se mijëra trupa të Koresë së Veriut janë dislokuar në Rusi

SHBA-ja thotë se ka prova që Koreja e Veriut ka dërguar të paktën 3,000 trupa në Rusi – duke shtuar se ka një “probabilitet shumë shqetësues” që ata të luftojnë në Ukrainë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin e quajti dislokimin një “hap tjetër” pasi Koreja e Veriut i ofroi më parë Rusisë armë, duke shtuar se Pheniani mund të përballet me pasoja për ndihmën e drejtpërdrejtë të Moskës.

Ai nuk dha detaje, duke thënë se analistët po vlerësonin situatën.

Ndërkohë, Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby ka thënë se SHBA-ja beson se ushtarët udhëtuan me anije në Vladivostok, portin më të madh rus të Paqësorit, në fillim të mesit të tetorit, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

“Këta ushtarë më pas udhëtuan në vende të shumta stërvitore ushtarake ruse në Rusinë lindore, ku aktualisht janë duke u stërvitur”, tha Kirby.

“Ne nuk e dimë ende nëse këta ushtarë do të hyjnë në luftime së bashku me ushtrinë ruse, por ky është sigurisht një probabilitet shumë shqetësues”, shtoi ai.

Ndërkohë, Austin tha se nëse trupat e Koresë së Veriut janë “bashkëluftuese” me synimin për të mbështetur Rusinë në Ukrainë, atëherë kjo është një “çështje shumë, shumë serioze”.

Ai shtoi: “Do të ketë ndikime jo vetëm në Evropë, do të ndikojë gjithashtu edhe në Indo-Paqësor”.

Bëhet e ditur se Shefi i spiunazhit të Koresë së Jugut më herët u tha ligjvënësve se trupat e Koresë së Veriut janë në Rusi duke u trajnuar për dronë dhe pajisje të tjera përpara se të vendosen në fushat e betejës në Ukrainë.

Zyrtarët e inteligjencës së Koresë së Jugut besojnë se Pheniani po planifikon të dërgojë 10,000 ushtarë në Rusi deri në dhjetor.

Edhe qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë gjithashtu se ka “shumë gjasa” që ushtarët nga Koreja e Veriut “po mbështesin luftën e agresionit të Rusisë”.

Siç raportohet, Rusia dhe Koreja e Veriut kanë mohuar të ketë pasur lëvizje trupash.

Ndryshe, vendet kanë rritur bashkëpunimin e tyre në dy vitet e fundit dhe në qershor ato nënshkruan një marrëveshje të madhe të mbrojtjes që kërkon që të dy vendet të përdorin të gjitha mjetet e disponueshme për të ofruar ndihmë të menjëhershme ushtarake nëse ndonjëra sulmohet.

Por, Koreja e Veriut nuk ka luftuar në konflikte në shkallë të gjerë që nga Lufta Koreane e viteve 1950-1953.

Andaj, ekspertët vënë në dyshim se sa do ta ndihmonin Rusinë trupat e saj, duke përmendur mungesën e përvojës së betejës. /Telegrafi/

Exit mobile version