Departamenti amerikan i Shtetit po zbaton një politikë të re të kufizimit të vizave si përgjigje ndaj ligjit represiv dhe shtypjes së protestave në Gjeorgji, ka njoftuar Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Blinken vuri në dukje se shpreson që liderët e vendit të rishqyrtojnë të ashtuquajturin projektligj për “agjentët e huaj” dhe tha se politika e re e vizave synon “individët që janë përgjegjës ose bashkëpunëtorë në minimin e demokracisë në Gjeorgji”.
“Këtu përfshihen individët përgjegjës për shtypjen e shoqërisë civile dhe lirisë së tubimeve paqësore në Gjeorgji përmes dhunës dhe frikësimit”, tha Blinken.
“SHBA-ja do të rishikojë bashkëpunimin me Gjeorgjinë”, shtoi ai.
Bëhet e ditur se masa vjen gati një javë pasi presidentja gjeorgjiane, Salome Zourabichvilli, vuri veton ndaj projektligjit që u kërkon organizatave që marrin më shumë se 20 për qind të financimeve nga jashtë, të regjistrohen si “agjentë të huaj”, ose përballen me gjoba, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Por, parlamenti i Gjeorgjisë ende mund të anulojë veton e presidentes me një shumicë të thjeshtë.
Siç raportohet, parlamenti e ka miratuar projektligjin më 14 maj, me 84 vota pro dhe 30 kundër.
Partia në pushtet e cila e drejtoi legjislacionin, Georgian Dream, ka këmbëngulur se ai e promovon transparencën dhe sovranitetin kombëtar, ndërsa kritikët argumentojnë se ai është bazuar në ligjet ruse për të zhdukur opozitën.
“Ky ligj, në thelb është rus, dhe e kundërshton kushtetutën tonë dhe standardet evropiane”, tha Zourabichvilli pasi vuri veton.
Ndryshe, edhe BE-ja ka paralajmëruar se legjislacioni rrezikon shanset e vendit për t’iu bashkuar bllokut.
Gjeorgjia, vend i vogël në malet e Kaukazit, aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2022, ndërsa vitin e kaluar iu dha statusi i kandidatit.
Projektligji ka hasur në rezistencë si brenda edhe jashtë parlamentit. Mijëra njerëz kanë marshuar rrugëve të Gjeorgjisë kundër ligjit. /Telegrafi/