Telegrafi

SHBA-ja paralajmëron Iranin që të mos i dërgojë raketa balistike Rusisë

Uashingtoni e ka paralajmëruar Teheranin për pasoja “të shpejta dhe të rënda” nëse konfirmohen raportet se po planifikon të dërgojë qindra raketa balistike në Rusi.

“Ne jemi të përgatitur të japim një përgjigje të shpejtë dhe të ashpër, nëse Irani do të ecë përpara me transferimin e raketave balistike, e cila, sipas mendimit tonë, do të përfaqësonte një përshkallëzim dramatik në mbështetjen e Iranit për luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, transmeton Telegrafi.

Paralajmërimi përputhet me atë të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara në fillim të këtij viti, pasi Reuters duke cituar gjashtë burime të paidentifikuara raportoi se Irani kishte dërguar një “numër të madh” armësh të fuqishme balistike tokë-tokë në Rusi.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ndaj programit të raketave balistike të Iranit, për shqetësimet që Teherani mund t’i dërgojë armë të tilla aleatëve dhe përfaqësuesve të tij në Lindjen e Mesme dhe Rusisë për përdorim në Ukrainë.

Rusia ka vuajtur nga mungesa e armëve pasi pushtimi i saj në shkallë të plotë të Ukrainës – i nisur në shkurt 2022 – është zvarritur me humbje të mëdha trupash dhe pajisjesh ushtarake, duke e lënë atë të shikojë te aleatët si Irani dhe Koreja e Veriut për të rimbushur stokun e saj të armëve. /Telegrafi/