Site icon Telegrafi

SHBA-ja, Kanada dhe Britania e Madhe e godasin Bjellorusinë me sanksione të reja

SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj individëve dhe subjekteve në Bjellorusinë e cila ka mbështetur luftën e Rusisë në Ukrainë përmes prodhimit të burimeve ushtarake dhe mallrave, ka njoftuar Departamenti i Thesarit.

Bëhet e ditur se sanksionet e vendosura ndaj 19 individëve, 14 subjekteve dhe një aeroplani, synojnë gjithashtu personat e përfshirë në evazionin e sanksioneve në emër të enteve të mbrojtjes bjelloruse dhe gjenerimin e të ardhurave për njerëzit në rrethin e ngushtë të presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko.

Veprimi është ndërmarrë sipas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti amerikan, Joe Biden, në vitin 2021, që synonte të ushtronte presion ndaj Lukashenkos mbi akuzat që ai ka goditur opozitën gjatë 30 viteve të tij në pushtet.

Siç raportohet, një nga subjektet e synuara është Peleng, një kompani lider bjelloruse që prodhon komponentë për anije kozmike, satelitë dhe automjete ushtarake, të cilën departamenti e ka përshkruar si partner i rëndësishëm industrial për Rusinë, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, shembullin e SHBA-së e kanë ndjekur edhe Kanada dhe Britania e Madhe.

Ministrja e Jashtme kanadeze, Melanie Joly, ka njoftuar se Otava do të sanksionojë 10 individë dhe 6 subjekte bjelloruse, “në përgjigje të përfshirjes së tyre në abuzimet e vazhdueshme dhe sistematike të të drejtave të njeriut në Bjellorusi”.

Ndërkohë, Britania e Madhe ka deklaruar se veprimi i koordinuar shënon përvjetorin e katërt të zgjedhjeve presidenciale “me të meta të thella” të vitit 2020 në Bjellorusi.

Kjo pasi shumica e vëzhguesve të pavarur besojnë se Lukashenko në të vërtetë i humbi ato zgjedhje.

Por, ai vazhdoi të qëndrojë në pushtet duke burgosur mijëra qytetarë për të shtypur muaj të tërë protestash në rrugë, me ndihmën e aleatit të tij, presidentit rus, Vladimir Putin. /Telegrafi/

Exit mobile version