Telegrafi

SHBA, gardianët nuk e ndihmojnë – e burgosura lind foshnjën në qelinë e burgut pa kurrfarë asistence mjekësore

Një grua në Denver, Colorado, ka ngritur padi kundër autoriteteve lokale dhe stafit të zyrës së sherifit, pasi ishte detyruar të lind djalin Jordan në qelinë e burgut pa kurrfarë asistence mjekësore.

Diana Sanchez thuhet në padinë e ngritur se ishte detyruar të lind foshnjën në qelinë e burgut – ku mungonin pajisjet e nevojshme, transmeton Telegrafi.

Sipas saj, stafi i burgut e dinin se ajo ishte shtatzënë dhe nga çasti në çast pritej të lindte, por një fakt të tillë gardianët e burgut e kishin injoruar. Zyra e sherifit ka deklaruar për BBC se stafi ka reaguar me kohë dhe se asgjë nuk ka këtu kundërligjore.

Në padinë e dorëzuar gjatë të enjtes, personat e paditur janë autoritetet lokale të Denverit, qendra e mjekësisë familjare dhe gjashtë persona nga zyra e sherifit. Siç raporton KDVR News, Sanchez ishte pranuar në burgun e Denverit më 14 korrik të vitit 2018, ku ajo asokohe ishte 26-vjeçe dhe akuzohej për vjedhje të identitetit.

Pamjet e kamerave të sigurisë që kanë filmuar brenda qelisë së burgut ku ajo kishte qëndruar dhe sjellë në jetë djalin, shfaqin momentet kur ajo ndjen dhimbje të mëdha dhe askush nuk e ndihmon. E në momentin që ajo lind djalin, aty shfaqen mjekët që e marrin foshnjën për t’i bërë një kontroll të detajuar. /Telegrafi/