Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry paralajmëroi Turqinë, duke theksuar se shteti turk duhet të respektojë sundimin e ligjit.
Reagimi vjen ndërkohë që në Turqi po kryhen arrestime masive të gjyqtarëve, policëve, gjeneralëve dhe madje edhe të ushtarëve të thjeshtë.
Të njëjtën kërkesë e kanë bërë edhe ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Shefja e politikës së Jashtme në BE, Federica Mogherini paralajmëroi qeverinë turke të hënën, duke theksuar se marrja e hapave të tillë do të dëmtojë rendin kushtetues.
“Ne ishim të parët … atë natë tragjike kur thamë se institucionet legjitime duheshin mbrojtur”, u tha Mogherini gazetarëve në takimin me ministrat e Jashtëm të BE-së. Takimi është ndjekur edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.
“Nuk ka asnjë justifikim për asnjë hap që çon larg rendit kushtetues”, tha ajo.