Telegrafi

SHBA dhe Britania e Madhe kundërshtojnë fushatën destabilizuese ruse në Ukrainë

Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës “fuqishëm kundërshtojnë fushatën destabilizuese në Ukrainë” dhe i bëjnë thirrje Rusisë që të ndihmojë në uljen e tensioneve.

Kështu tha sekretari britanik i Punëve të Jashtme, Dominic Raab duke shtuar se Rusia duhet t’i përmbahet zotimeve.

“Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe unë jemi pajtuar që Rusia menjëherë duhet të ndihmojë në përmirësimin e situatës dhe t’u përmbahet zotimeve që ka me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë”, tha Raab përmes një postimi në Twitter.

Në afërsi të kufijve mes Rusisë dhe Ukrainës, por edhe në gadishullin ukrainas të Krimesë, janë parë forca të shtuara të ushtrisë ruse, gjë që ka rritur shqetësimet se Moska po përgatitet që të dërgojë trupa në lindje të Ukrainës.

Washingtoni e ka quajtur destabilizues vendimin e Moskës për të vendosur trupat ushtarake përgjatë kufirit .

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken më 9 prill është konsultuar edhe me ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës mbi nevojën që Rusia duhet të tërheqë trupat nga kufiri me Ukrainën dhe nga Krimea.

Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në mars të vitit 2014. Perëndimi thotë se ajo mbështetë edhe separatistët në lindje të Ukrainës, të cilët po luftojnë kundër forcave qeveritare ukrainase.

Nga ky konflikt janë vrarë mbi 13 mijë persona dhe janë zhvendosur mbi një milion të tjerë. /Telegrafi/