Site icon Telegrafi

SHBA beson se Rusia dështoi në testin e raketës balistike – që supozohet se ndodhi “rreth kohës kur Biden ishte në Ukrainë”

Rusia kreu një test të një rakete balistike ndërkontinentale – që duket se ka dështuar – rreth kohës kur presidenti Joe Biden ishte në Ukrainë të hënën, sipas dy zyrtarëve amerikanë të njohur me këtë çështje.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Rusia njoftoi Shtetet e Bashkuara paraprakisht për nisjen ndërsa një zyrtar tjetër tha se testi nuk përbën rrezik për Shtetet e Bashkuara dhe se SHBA nuk e shohin testin si një anomali ose një përshkallëzim.

Testimi i raketës SARMAT duket se ka dështuar, thanë zyrtarët.

Dhe nëse do të kishte funksionuar, zyrtarët amerikanë besojnë se presidenti rus Vladimir Putin do ta kishte vënë në pah testin në fjalimin e tij për gjendjen e kombit të martën.

Putin nuk përmendi nisjen në fjalimin që zgjati një orë e 45 minuta. Megjithatë, ai deklaroi zyrtarisht se Rusia do të pezullojë pjesëmarrjen e vendit të tij në traktatin e ri të reduktimit të armëve bërthamore START me Shtetet e Bashkuara, duke vënë në rrezik paktin e fundit të mbetur që rregullon dy arsenalet më të mëdha bërthamore në botë.

CNN fillimisht raportoi se testi ndodhi ndërsa Biden ishte në Ukrainë bazuar në informacionet nga burimet. Por më vonë një nga zyrtarët tha se testi ndodhi pak para se Biden të ishte në këtë vend. Burimi i dytë i kishte thënë CNN se testi ishte të hënën pa dhënë ndonjë kohë më specifike. /Telegrafi/

Exit mobile version