Akuzat e kundër akuzat nuk ishin të vetmet që pamë e dëgjuam sot gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës e gjithçka duket se doli jashtë kontrollit me sharje, fyerje e kërcënime, ndërsa pati tentim edhe për përleshje fizike.
“Krytë ta heki”, u dëgjua t’i thotë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, në seancën kur supozohej se do të diskutohej në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19 dhe të bëhej shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.
Fjalimi i ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, e cila iu drejtua deputetëve të PDK-së se janë vet fajtor për formimin e Gjykatës Speciale, nxiti reagimin e ashpër të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ky i fundit, kërkoi shkarkimin e ministres Gërvalla, teksa e tha se ajo është përfaqësuese e Serbisë në Kosovë dhe se është turpi i diplomacisë.
Pas këtyre akuzave, fjalën e mori deputeti i LDK-së, Arben Gashi i cili iu ankua nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevcit se ministrave po ua mundëson të flasin më shumë sesa deputetëve, e që sipas tij kjo ishte në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
Gashit ia ndërpreu fjalën kryesuesja e seancës së Kuvendit, teksa pas kësaj deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës u larguan nga seanca.
Pas tyre, edhe deputetët e PDK-së deshën ta lëshojnë seancën, por një përplasje ndodhi në dalje të sallës, e cila për pak sa nuk kaloi në përleshje fizike mes Hajdar Beqës së PDK-së dhe Besim Muzaqit të LVV-së.
Në të njëjtën kohë, një fjalosje ndodhi edhe mes ministrit, Faton Peci dhe deputetit të PDK-së, Memli Krasniqi.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, i cili u dëgjua duke i thënë deputetit të VV-së, Besim Muzaqi, ‘krytë ta thej’ ka treguar versionin e tij të ngjarjes.
“Deputetin Besim Muzaqi e pash duke u shtyrë me deputet tanë dhe duke i fyer duke ju thënë dilni jashtë. Unë mendova që është ndonjë roje e ndonjë ministri dhe ka hyrë në sallën e Kuvendit ai filloj me më fye edhe mua dhe tentoi të më sulmojë fizikisht. Unë në atë moment i thash se Hajdar Beqa nuk e sulmon askënd fizikisht dhe nuk lejon të sulmohet nga askush fizikisht, kjo ka qenë e tëra nuk kemi pas asgjë personale”.
Ndërkaq, Telegrafi ka provuar të marrë një deklaratë nga deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi, por ai nuk i është përgjigjur telefonit, por më pas ka reaguar në Facebook.
Muzaqi pas përplasjes që pati me deputetin e PDK-së, Hajdar Beqa në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se PDK-ja në mungesë argumenti po ofendon secilin.
Përmes një postimi në Facebook, Muzaqi ka thënë se opozita është pa kauzë e pa ide.
“Mos u turrni me yrysh e me gjuhë analfabetësh funksional sepse as nuk ua kemi frikën as respektin”, ka shkruar ndër të tjera Muzaqi.
Pas kësaj përleshje u deklaruan shefat e grupeve parlamentare dhe vet protagonistët, teksa Kuvendi shkoi në pauzë deri në ora 14:00.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se ishin dëshmitar të një angazhimi dhe denigrim dhe ofendimin e luftës së UÇK-së, nga ministrja e Jashtme.
“Ajo edhe sot vazhdoi ta fyente luftën e UÇK-së, kauzën tonë për liri dhe pavarësi, ajo i fyeu sot të gjitha gratë e dhunuara, sakrificën më të madhe të kombit shqiptar. Ne si PDK nuk mund të lejojmë që ministrja të flet me narracionin e ndërtuar në Beograd. Fjalimi i saj ishte i njëjtë me pasardhësin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit pra Ivica Daçiqit”, tha Tahiri.
Ai theksoi se asnjëherë nuk e kanë menduar dy dekada pas çlirimit, Kosova do ta ketë një ministre të jashtëm që flet në një linjë të plotë me atë që flet ministri i jashtëm serb për luftën e UÇK-së.
“Qëndrimi i saj në krye të Ministrisë së Jashtme është ofendim i madh për qytetarët, viktimat që kanë ra për lirinë, për viktimat e dhunuara”, tha Tahiri teksa deklaroi se nuk do të ktheheshin në seancë.
Shefja e Grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari ka mbajtur në konferencë për media lidhur me seancën e sotme plenare, ndërsa tha se tensionimi i situatës në Kuvend erdhi pas fyerjeve dhe sharjeve në drejtim të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Kusari më tej tha se nuk mund t’i thotë fjalët që deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi i ka drejtuar kah deputetët.
Kusari theksoi se duke dalë nga salla deputetët i intensifikuan ofendimet, sharjet ndaj ministres Gërvalla dhe më pas ministri Peci është ngrit në këmbë për t’i ndalë dhe për t’iu thënë se nuk mund të sillen kështu me një grua.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka shpifur kundër tij kur e ka akuzuar për ofendim të saj dhe kolegeve të saj gjatë seancës së sotme parlamentare.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se Kuvendi i Kosovës dhe vendi është duke shkuar drejt tensionimeve të reja.
“Nëse kjo sjellje vazhdon kështu Kuvendi dhe vendi po shkojnë drejt tensionimeve të reja të qëllimshme si rezultat i paaftësisë së menaxhimit dhe drejtimit të vendit”, tha Gashi.
Gashi këto komente i bëri në një konferencë për media, ku dha versionin e tij për situatën që ndodhi sot në seancën e Kuvendit, i cili shtoi se LVV po e keqpërdor nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci për përfitim politik, shkruan Telegrafi.
Pas pauzës, ka nisur sërish punimet Kuvendi i Kosovës. Pika e rendit të ditës për debat parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19, u shty për një seancë tjetër në mungesë të iniciuesit të debatit.
Përfundimisht, Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 61 vota për kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës për serbët në katër komunat veriore.
Sipas këtij vendimi, për këto komuna në veri të Kosovës janë ndarë 11 milionë euro për pagesën e rrymës.
Javën e kaluar, komisioni kishte miratuar propozimin e KOSTT-it për ndarjen e këtyre mjeteve. /Telegrafi/