Liverpooli ka marrë një fitore të radhës në elitën e futbollit anglez.
Skuadra e udhëhequr nga Jurgen Klopp triumfoi me rikthim te Burnley me rezultat 1-3, ku në këtë takim shënoi edhe Xherdan Shaqiri.
Pas përfundimit të pjesës së parë rezultati ishte i barabartë 0-0 dhe Shaqiri ka treguar për Sky Sports fjalimin që mbajti Klopp në zhveshtore.
“Pas përfundimit të pjesës së parë Klopp na tha që të jemi më të vëmendshëm në lojë, më të gjallë dhe të fitojmë topin më shumë, sepse shumë herë luajtëm mbrapa”, tha Shaqiri.
“Qëndruam të qetë, menaxhuam mirë ndeshjen dhe në fund me meritë morëm tri pikët”, u shpreh mesfushori gjilanas.
Tutje Shaqiri foli si lider i skuadrës, duke thënë se ai dhe bashkëlojtarët e tij duhet të jenë më të guximshëm në kësi lloj ndeshje.
“Duhet të jemi më të guximshëm në kësi lloj ndeshje, ne e dimë se e kemi posedimin por duhet të mbrohemi më mirë”.
Krejt në fund Shaqiri tregoi edhe bisedën që pati me trajnerin Jurgen Klopp pas ndeshjes.
“Në fund Klopp na tha se ishte një lojë e rëndësishme që i dha shumë besim futbollistëve për të vazhduar në ndeshjet e ardhshme”, përfundoi shqiptari me pasaportë zvicerane.
Liverpool pas 15 javëve në kampionatin anglez zë pozitën e dytë në tabelë me 39 pikë të tubuara, dy më pak se lideri Manchester City. /Telegrafi/