Telegrafi

Shala me tri oferta nga kampionati norvegjez

Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Herolind Shala së shpejti pritet të bëhet me skuadër të re.

Pasi luajti për gjashtë muaj me skuadrën IF Star, kontrata e Shalës me këtë ekip ka skaduar.

Aktualisht shqiptari është futbollist i lirë dhe mund të nënshkruajë me ndonjë skuadër.

Ai prej ditësh ka udhëtuar me skuadrën e Stabaek në Tailandë për fazën përgatitore por ende nuk ka nënshkruar kontratë me ta.

Shala është në pritje të ndonjë oferte më të mirë nga ndonjë kampionat tjetër para se të vendos për të ardhmen.

Përveç Stabaek në garë për të janë edhe disa skuadra tjera norvegjeze si ODD dhe Valerenga, por që ai ka për synim të luaj jashtë Norvegjisë.

Në rast se nuk do të vije ndonjë ofertë e mirë nga ndonjë kampionat i respektuar në Evropë, atëherë Shala do të mbetet në Norvegji.

Stabaek, ODD dhe Valerenga njëra nga to pritet të jetë skuadra e ardhshme e mesfushorit të Kosovës.

Kujtojmë që Shala ka shkëlqyer me fanellën e Kosovës që nga ardhja e trajnerit të ri Bernard Challandes dhe është ndër lojtarët më të mirë të Përfaqësueses. /Telegrafi/