Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje në origjinën e saj ka pasur elemente neo-marksiste, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi politik me Vetëvendosjen.
Shala ka thënë se tani me emrat e përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të VV-së, është e vështirë të qartësohet se çfarë orientimi ideologjik ka ky subjekt politik.
“Kur pashë listën e VV-së u përpoqa ta definoj në kuptimin ideologjik, por tash po shoh që po zhbëhet ideologjikisht. VV ka qenë qartësisht neo-marksiste… A nuk i keni parë veprimet në institucione dhe në rrugë – presioni që nuk njeh ligjin dhe kushtetutën – e gjitha kjo është një gjë që unë shpresoj që e ka kapërcyer”, tha Shala në Klan Kosova.
“Ka pasur edhe origjinë edhe artikulime të qarta neo-marksiste. Tash nuk mund të them qartësisht se çfarë është”.
Shala ka theksuar se bashkëpunimet ndërmjet subjekteve politike bëhen në funksion të disa qëllimeve.
“Tani ne të përjashtojmë mundësinë e një bashkëpunimi politik nuk është normale – duhet ta shohim rezultatin dhe pastaj të vlerësojmë”, tha ai.
“Bashkëpunimin politik unë nuk e përjashtoj asnjëherë dhe me askënd. Duhet t’i presim rezultatet dhe pastaj të bisedojmë për çështjet”.
“Bashkëpunimet nuk bëhen që të bëhen bashkëpunimet, por bëhet në funksion të disa qëllimeve”, tha Shala.