Telegrafi

Shala: Serbia nuk nis luftë ku është NATO-ja

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Haxhi Shala, hedh poshtë mundësinë që Serbia t’i nisë forcat ushtarake për të ndërhyrë në veri të Kosovës, ashtu siç paralajmëroi të dielën presidenti serb, Tomislav Nikoliq.

Gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, deputeti Shala thotë se në Kosovë janë të pranishme forcat e NATO-s (KFOR-i) dhe ku është e pranishme forca më e fuqishme ushtarake në botë, Serbia, siç thotë ai, nuk mund të bëjë gabim dhe të futet ushtarakisht.

“Në një territor ku është e pranishme NATO nuk besoj se Serbia mund të bëjë gabim dhe të futet ushtarakisht”, shprehet Shala.

Kreu i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së pranon se Serbia do të vazhdojë me provokimet e tilla në Kosovë, mirëpo, sipas tij, forcat e sigurisë në vend (AKI dhe Policia e Kosovës) po i kryejnë detyrat e veta në mënyrën më të mirë të mundshme. /Zëri/