Site icon Telegrafi

Shala: Lodrat që janë të dëmshme për shëndetin e fëmijëve nuk shiten më në tregun e Kosovës (Video)

Lodra të cilat janë të dëmshme për shëndetin e fëmijëve nuk shitën më në tregun e Kosovës. Kështu ka thënë ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala në një intervistë për emisionin “EKONOMI” në Telegrafi.com.

Sipas tij, për shkak të mos përmbushjesh së kritereve teknike e kimike janë asgjësuar më shumë se 17 mijë njësi të lodrave të fëmijëve.

“Kanë qenë mbi 17 mijë njësi të lodrave dhe njëkohësisht nga ajo kohë deri më tani, janë mbi 18 kontingjente me lodra të tilla të cilat janë asgjësuar. Do të thotë janë ndaluar të hyjnë në tregun e Kosovës dhe vazhdojnë ende tash e tutje nga Dogana e Kosovës dhe Inspektorati që ato lodra të mos hyjnë në territorin e vendit”, tha Shala.

Sipas tij, Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë pas disa informatave dhe pas disa analizave të bëra për produktet të lodrave të cilat janë tregtuar në Kosovë, në një vend të Bashkimit Evropian, ka vërejtur se disa lodra nuk i plotësojnë kriteret për tu shitur në treg.

Lexo po ashtu Shala: Taksa mbetet në fuqi, pezullimi do të ndodh kur Serbia e Bosnja ndryshojnë qasjen (Video)

“Pas analizave të atyre produkteve ka dalë që disa nga ato mostra nuk i kanë plotësuar kriteret apo kushtet teknike, por edhe kimike që të jenë në treg, apo më mirë të themi që të përdorën nga fëmijët tanë. Pas këtyre analizave, menjëherë kam autorizuar Inspektoratin për konfiskimin e të gjithë atij malli dhe ajo sasi e lodrave është asgjësuar”, ka thënë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

 

Ai ka thënë se në treg nuk ka lodra të dëmshme kimikisht për fëmijët të cilat janë importuar kryesisht nga Kina.

Lexo po ashtu Shala: Dogana nuk ka pajisje për ta kontrolluar cilësinë e naftës (Video)

“Me informatat që i posedon Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Inspektorati i Tregut dhe me mostrat që kohë pas kohe i marrim rezulton që deri më tani nuk shiten lodra të cilat nuk i plotësojnë kriteret teknike e kimike që të jenë në tregun e Kosovës. Shumica e tyre kanë qenë me origjinë nga Kina dhe iu kam bërë ftesë tregtarëve që të mos importojnë në Kosovë lodra apo produkte të tjera të cilat nuk e kanë certifikatën e konformitetit nga vendet e Bashkimit Evropian”, tha ministri Endrit Shala për emisionin “EKONOMI” në Telegrafi.com. /Telegrafi/

Exit mobile version