Telegrafi

Shala: Jemi në grup të mirë, Anglia dhe Çekia janë kundërshtarët më të vështirë – Shqipëria ka mundësi të mira

Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Herolind Shala ka folur për shortin e kualifikimeve për Kampionatin Evropian Euro 2020.

Shala që ishte ndër lojtarët më të mirë të Kosovës në Ligën e Kombeve, ka thënë se Kosova është në një grup të mirë.

26-vjeçari në një intervistë për Supersport, deklaroi se anglezët dhe çekët janë kundërshtarët më të vështirë.

“Është grup i mirë, Anglia dhe Çekia janë kundërshtarë më të vështirë. Kemi kualitet të bëjmë diçka në këtë grup”, deklaroi Shala.

Herolindi foli edhe për shortin e Shqipërisë, ku tha se kuqezinjtë kanë mundësi shumë të mira për të kaluar tutje.

“Shqipëria? E mirë, grup jo aq i vështirë, pasi më parë ka mposhtur Turqinë dhe Islanda nuk është më sikur më parë. Vërtet Shqipëria ka mundësi shumë të mira”, u shpreh Shala.

Kujtojmë që Kosova ndodhet në Grupin A së bashku me Anglinë, Çekinë, Malin e Zi dhe Bullgarinë. /Telegrafi/