Deputeti i Nismës, Haxhi Shala, ka treguar detaje nga takimi i sotëm i liderëve të koalicionit PDK-AAK-NISMA (PAN) dhe AKR, me Listën Serbe.
Në emisionin InfoBox në RTV Dukagjini, në bashkëbisedim me gazetarin Fidan Rama ai thotë se problemi i mos arritjes së marrëveshjes me Listën Serbe ka të bëjë me postet.
“Nuk ka ndonjë kërkesë politike, krejt ka të bëjë me poste”, ka thënë ai.
Sipas tij, të gjitha bisedimet tashmë janë duke u bërë për të kënaqur Listën Serbe me postet që po kërkon.
“Ndoshta Pacolli duhet të heq dorë nga një post dhe të shkojmë përpara”, ka thënë Shala.
Sipas tij, në PAN ishin komod se e dinin që nuk mund të ketë koalicion LDK-VV. Ai madje përmend premtimin e deputetit të Nismës, Bilall Sherifi, se nëse arrijnë pajtim, ai do ta votojë qeverinë e LDK-së me VV-në.
“VV donte pushtet, postin e kryeministrit. Duket e ditur se si VV donte vetëm gjithçka në Prishtinë, e kemi ditur se nuk mund të arrijnë marrëveshje”, thotë ai, duke shtuar se pas zgjedhjeve lokale, ka gjasa që LDK t’i bashkohet qeverisë Haradinaj.
Deputeti i Nismës shprehet se nëse pas formimit të qeverisë puna ju shkon mirë, do të synojnë të vazhdojnë mandatin deri fund. /Telegrafi/