Slovan Libereci ka barazuar 2-2 si mysafir tek Mlada Boleslav, duke mbrojtur vendin e tretë në javën e fundit të kampionatit çek.
Ky pozicion ka qenë mëse i kënaqshëm për Liberecin, por edhe për Herolind Shalën, që e ka mbyllur me sukses aventurën sezonale në Liberec, ku ishte i huazuar nga Sparta e Pragës.
Titullar si gjithnjë, mesfushori i Shqipërisë ka luajtur 24 ndeshje këtë kampionat, duke shënuar gjashtë gola dhe duke dhuruar pesë asistime për Liberecin ku është larguar në drejtim të Pragës.
Vetë Shala ka postuar një urim për Liberecin në faqen e vet në Facebook, duke e falënderuar klubin për mikpritje.
“Ia dolëm mbanë. Vendi i tretë dhe kualifikim për në Europa League. Falënderoj shokët e skuadrës, trajnerët dhe tifozët për një sezon madhështor. Ju uroj fat në të ardhmen. Forca Liberec”, ka shkruar Shala. /Telegrafi/