Telegrafi

Shakohoxha: Tifozët po e përdorin modelin e Jugosllavisë – Enkelejda Zeko: Mos bëni krahasime me atë që ndodhi në Beograd

Komentatori i njohur i futbollit, Dritan Shakohoxha, ka dalë kundër tifozëve pas ngjarjeve të ndodhura në Itali duke thënë se episodet e tilla janë metoda të huliganizmit jugosllav.

“Është vetëm në vendet e lindjes. Huliganizmi ka qenë institucion në Jugosllavi dhe ka pasur shumë lidhje me politikën”.

“Tifozët bënë gabim në Palermo dhe mbrohen me një fjali idiote: ‘E kishim me Federatën’. Si t’u themi atyre që ndjekin vetëm një ndeshje se kush është Federata…”.

“Tifozët po e përdorin modelin e Jugosllavisë siç bën Kroacia, Serbia edhe Bosnja. Tifozët duan të bëhen më të rëndësishëm se Kombëtar, por kjo nuk duhet të ndodhë”, është shprehur ai në emisionin Top Story, citon BW.

Lexo po ashtu Tifozët e Kosovës kërkojnë dënimin e Shakohoxhës

Ndërkaq, gazetarja sportive, Enkelejda Zeko, ka kërkuar që të mos hiqet asnjë paralele mes asaj që ndodhi në Palermo me ato që ndodhen në Beograd.

“Krahasimi me atë që ndodhi në Beograd nuk qëndron dhe është shumë i gabuar. Mos e nxijmë akoma më shumë veten”.

“U ndërpre ndeshja dhe kjo është e rëndë, por nuk ka asnjë analogji me Serbinë dhe nuk kemi lënë të njëjtën përshtypje. Është një gjë negative ky krahasim”.

“Ka një konflikt të hershëm mes federatës dhe tifozëve dhe ka një pakënaqësi nga tifozët kuqezi që kanë bojkotuar ndeshjet”, ka deklaruar ajo. /Telegrafi/