“Timonieri” Mirel Josa po lufton që skuadra e Prishtinës ta rikthejë titullin në kryeqytet pas pesë vjetëve. Në një intervistë për gazetën “Zëri” Josa i komenton dy finalet e radhës për Prishtinën në kampionat.
Trajneri nga Tirana, i cili karakterizohet me qetësi maksimale, deklaron se ndeshja më e vështirë e Prishtinës është ajo ndaj Trepçës ’89, shkruan sot, gazeta “Zëri”.
Trajneri i njohur nga Shqipëria Mirel Josa tash e dy vjet është pjesë e FC Prishtinës.
Qëllimi i ardhjes së tij në Kosovë është “pushtimi” i futbollit të Kosovës, ashtu siç ka bërë në Shqipëri në kohën sa e ka drejtuar Skënderbeun e Korçës, ku me këtë skuadër arriti ta fitojë tri herë radhazi titullin kampion, ndërkohë që në një edicion arriti me ekipin korçar të marrë pjesë edhe në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.
Josa me Prishtinën në edicionin e kaluar e ka fituar Kupën e Kosovës, mirëpo objektivi kryesor nuk u arrit, titulli kampion që i mungon Prishtinës që nga edicioni 2012 – 2013.
Dy xhiro pa përfunduar kampionati, Feronikeli kryeson me vetëm dy pikë më shumë sesa FC Prishtina, të cilën do ta presë në Drenas në xhiron e fundit. Feronikeli ka 74 pikë, kurse Prishtina 72 sosh.
Pikërisht në javën e fundit edhe pritet të vendoset titulli sikurse në kampionatin e kaluar, kur ndeshja e fundit Prishtina – Drita e bëri ekipin gjilanas kampion.
Prishtina në xhiron e fundit të Superligës e bëri një hap të madh në luftë për titull duke e mposhtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, skuadrën e Llapit me rezultat 1:0.
Krahas mbetjes në hap për titull Prishtina e Josës e largoi nga gara për titull Llapin, i cili tashmë ndodhet e treta me 69 pikë.
Në një intervistë për gazetës “Zëri” Josa thotë se e ka harruar ndeshjen me llapjanët.
“Sfida me Llapin ka përfunduar dhe nuk po mendojmë më për atë ndeshje. Është arritur objektivi”, deklaroi Mirel Josa të hënën.
Shumë njohës të futbollit po vlerësojnë se titulli kampion në Kosovë edhe në këtë edicion do të vendoset në xhiron e fundit në takimin Feronikeli – Prishtina.
Mirel Josa nuk është duke menduar fare për këtë ndeshje.
“Fokusi im dhe i skuadrës është ndeshja e radhës me Trepçën ’89. Nuk po mendojmë për Feronikelin. Ndeshja më e rëndësishme në këto momente është ajo me Trepçën ’89”, përfundoi Mirel Josa.