KEK-u dhe Liria janë dy skuadrat që tanimë janë përshëndetur nga elita e futbollit kosovar.
Por dy ekipet tjera që do të luajnë në barazh ende nuk dihen pasi në garë janë pesë skuadra.
Flamurtari, Drenica, Ballkani, Trepça ’89 dhe Gjilani janë ekipet që synojnë t’i ikin barazhit në ndeshjen e tyre të fundit.
Ballkani i Suharekës ka një rast të artë për t’i ikur barazhit pasi para adhuruesve të vet do të jetë nikoqir i Dritës që luan pa objektiva dhe pritet t’i aktivizojë përsëri futbollistët e rinj të përzier me ata që kanë pasur më pak minuta këtë edicion.
Ndërkohë edhe Flamurtari mund t’i ikë barazhit nëse arrin të marrë minimum një pikë nga dueli me Llapin në kryeqytet.
Drenica do të jetë mysafire e Lirisë së Prizrenit që tanimë ka rënë nga elita dhe kërkon tri pikët e shpëtimit.
Fatin në dorën e tyre nuk e kanë Trepça ’89 dhe Gjilani pasi as fitoret nuk ia sigurojnë mbijetesën.
89-shi pret KEK-un dhe synon që të triumfojë dhe shpreson në gabimet e kundërshtarëve për t’i ikur barazhit.
Në anën tjetër Gjilani do të ketë një udhëtim të vështirë te Ferizaj dhe e njëjta gjë vlen edhe për ta ku synon fitore dhe shpreson që kundërshtarët të gabojnë.
Të gjitha ndeshjet e javës së fundit do të fillojnë nga ora 16:00. /Telegrafi/