Sevilla e ka zhbllokuar rezultatin në ndeshjen kundër Barcelonës të vlefshme për Superkupën e Spanjës.
Kanë mjaftuar vetëm nëntë minuta që të shënohet goli i parë në ndeshjen që po zhvillohet në Stade de Tanger të Marokut.
Pablo Sarabia pranoi një pasim të shkurtë nga Luis Muriel në zonë dhe e dërgoi topin në rrjetë (9′).
Fillimisht pati dyshime për pozitë jashtë lojë, mirëpo pas konsultimit të VAR-it u pa se goli ishte i rregullt.
Në vazhdim, Barcelona u përpoq menjëherë ta barazonte rezultatin, ndërsa një prej rasteve të mira e pati Lionel Messi që u mbrojt nga portieri andaluzian.
Duke qenë se Barcelona është edhe fitues i La Ligas edhe fitues i Kupës së Mbretit për sezonin e kaluar, në ndeshjen e Superkupës së sivjetme, katalunasit luajnë kundër finalistit të Copa del Rey.
Njëherësh, këtë vit ka një dallim, pasi që për dallim nga sezonet e kaluara, Superkupa zhvillohet vetëm në një ndeshje edhe atë në një stadium neutral, kësaj radhe në Marok. /Telegrafi/