Sevilla vazhdon të mbetet skuadra më e interesuar për të nënshkruar me yllin nga Kosova, Xherdan Shaqiri.
Reprezentuesi i Zvicrës pas një viti jo të mirë në Anfield do të largohet dhe Liverpooli tanimë e ka nxjerrë në shitje atë.
The Reds i kanë vendosur çmimin e largimit prej 30 milionë euro, ku ky çmim në Angli është parë si jo real, pasi Shaqiri vlen më pak.
Skuadra spanjolle Sevilla po mendon afrimin e kosovarit dhe tanimë ka nisur bisedimet me Liverpoolin.
Por problemi qëndron tek çmimi i lartë që po kërkojnë kampionët e Evropës për Shaqirin, pasi thuajse asnjë skuadër nuk është e gatshme të shpenzojë 30 milionë euro për një futbollist që ka zhvilluar vetëm 10 ndeshje këtë edicion dhe ka pasur probleme me lëndime.
Football Insider ka raportuar se drejtuesit e Sevillës kanë kërkuar nga The Reds që çmimi i Shaqirit të ulet rreth 22 milionë euro.
Shaqiri ka një kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2023, por largimi i tij nga Anfield do të ndodh pas dy viteve qëndrim.
Përveç Sevillës, në garë për gjilanasin janë edhe skuadra tjera si Roma, CSKA Moska, Zenit St Petersburg, Galatasaray e West Ham United. /Telegrafi/