Trajner i Barcelonës, Quique Setien ka mbetur i kënaqur me fitoren 4-0 të Barcelonës në udhëtim te Mallorca, ndeshja kjo e para pas tre muajve pauzë shkaku i pandemisë.
Arturo Vidal, Martin Braithwaite, Jordi Alba dhe Lionel Messi ishin shënuesit e katër golave të Barcelonës, duke i siguruar ekipit të tyre tre pikë.
Skuadra e Setienit ka rritë epërsinë e në krye të La Ligës me pesë pikë, me rivalët Real Madridi që do të tentojnë ta shkrijnë sot (e diel) epërsinë.
Rikthimi me fitore në La Liga e ka bërë trajnerin Setien të ndahet i kënaqur.
“Ne kemi luajtur mirë në shumicën e pjesëve të lojës. Jam i kënaqur”, ka thënë fillimisht Setien për El Chiringuito.
“Nuk kemi luajtur me kapacitetin tonë të plotë sonte (e shtunë), por ka qenë një fillim i mirë për sprintin e fundit të sezonit”.
“Ka qenë një kohë shumë e pasigurt, por të fitosh këtë lojë ishte shumë e rëndësishme”, përfundoi trajneri.
Barcelona tani përballet me një ‘luftë’ të drejtpërdrejtë me skuadrën e Zinedine Zidane për të siguruar titullin në javët e ardhshme.
Ndeshjet në udhëtim kundër Sevilla dhe Villarreal do të jenë jetike për Setien, ndërsa në shtëpi ndeshja më e fortë parashikohet të jetë kundër Atletico Madridit të Diego Simeones. /Telegrafi/