Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i ka bërë të ditura disa nga pikat e agjendës së sesionit pranveror, ndërkaq këtyre pikave i prinë çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE.
Në një njoftim të Asamblesë Parlamentare thuhet se debati mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe votimi i një draft-opinioni do të jetë një moment kryesor i sesionit pranveror.
“Sesioni pranveror po vjen…! Një debat mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe votimi i një draft-opinioni, do të jetë një moment kryesor i sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), që do të mbahet në Strasburg nga 15 -19 prill 2024”, thuhet në njoftimin.
Pikët tjetër e rendit e sesionit pranveror do të jetë debati siç thuhet për “vdekjen e Alexei Navalny dhe nevojën për t’iu kundërvënë regjimit totalitar të Vladimir Putin dhe luftës së tij kundër demokracisë”.
Ndryshe, lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE një ditë më parë ka folur edhe presidentja Vjosa Osmani.
Në një takim me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, Osmani ka thënë se anëtarësimi i Kosovës do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën.
“Anëtarësimi i Kosovës do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën”, citohet të ketë thënë presidentja.
Tutje, Osmani ritheksoi se përmes mekanizmave të ndryshëm që i ofron Këshilli do të mundësohej mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim. /Telegrafi/