“Vendimi i serbëve nga veriu i Kosovës, të mbledhur rreth Listës Serbe, për të shkuar në zgjedhjet lokale është bërë për shkak se ata nuk duan të mbajnë fajin për një dështim të mundshëm të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
Kështu, siç shkruan Zëri i Amerikës në gjuhën serbe, ka thënë Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington.
“Shpresoj që një lëvizje e tillë nga serbët e veriut të Kosovës mund të shkaktojë anulimin e taksës që autoritetet e Kosovës kanë futur për produktet nga Serbia”, ka thënë Serwer, përcjell Telegrafi.
“Vendimi për të marrë pjesë në zgjedhjet për institucionet e veriut të Kosovës mund të ndikojë në vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës”, ka shtuar tutje Daniel Serwer.
Zgjedhjet e parakohshme për kryetarët e komunave në veri të Kosovës janë shpallur nga Presidenti i Kosovës, Hasim Thaçi.
Ato do të zhvillohen më 19 maj në komunat e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit. /Telegrafi/