Site icon Telegrafi

Serwer: Rruga më e mirë për Maqedoninë e Veriut është anëtarësimi në BE

“Pas zgjedhjeve të dyfishta që u mbajtën më 8 maj dhe në të cilat OBRM-PDUKM e orientuar drejt së djathtës dhe kandidatja e saj presidenciale Gordana Siljanovska-Davkova fituan bindshëm, rruga më e mirë që duhet të ndjekë Maqedonia e Veriut është integrimi në BE”. Kështu thotë për AIM Daniel Serwer, ekspert për Ballkanin.

Serwer është profesor në Departamentin e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins dhe është i bindur se qeveria e re nuk do të ketë sukses në zgjedhjet e ardhshme nëse, siç thotë ai, nuk e zgjidh çështjen me Bullgarinë dhe ngadalëson procesin e anëtarësimit në BE.

“Drejtimi më i mirë për Maqedoninë është Bashkimi Evropian. Unë nuk shoh ndonjë alternativë tjetër që mund të sjellë një standard më të mirë jetese, më shumë liri të fjalës apo rritje të sigurisë”, tha ai sot.

Në komentin e tij ai iu referua edhe Marrëveshjes së Prespës, duke e cilësuar atë si “një të mirë që njeh interesat e të dyja palëve”.

“Duhet theksuar se Marrëveshja e Prespës në mënyrë eksplicite mbron të drejtën e qytetarëve që ta quajnë vendin si të duan (neni 7, paragrafi 5) “Maqedonia e Veriut” kërkohet vetëm në përdorim zyrtar”, thekson ai.

I pyetur për ndikimin keqdashës të Rusisë në Ballkan dhe nëse sheh kërcënime të mundshme pas Marrëveshjes së Prespës, Serwer tha se nuk sheh kërcënime por vetëm oportunizëm.

“Kërcënimi vjen nga njerëzit të cilët nuk duan ta pranojnë dhe kështu ta shtyjnë Maqedoninë përsëri në pasiguri dhe izolim. Ekziston edhe kërcënimi i ndikimit rus, Moska është e gatshme të inkurajojë të gjithë ata që janë të përkushtuar ndaj etno-nacionalizmit dhe ndarjes, sesa ndaj bashkëpunimit ndëretnik dhe besnikërisë ndaj shtetit”, tha Server.

“Unë preferoj kushtetuta që nuk emërtojnë grupet etnike. Unë mendoj se kërkesat bullgare për ndryshime kushtetuese janë të tepruara. Por Shkupi duhet të gjejë një zgjidhje me Sofjen që do t’i lejojë Maqedonisë së Veriut të vazhdojë përparimin e saj drejt BE-së”, tha Serwer.

Sipas tij, kandidatët për anëtarësim në BE përballen me një të vërtetë të trishtë – shtetet e reja anëtare kanë një ndikim të madh në çdo çështje të pazgjidhur dypalëshe “çfarëdo që të bihet dakord me Sofjen do të ishte një çmim i vogël për të paguar për mos-aderimin në BE”./Telegrafi/

Exit mobile version