Njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se themelimi i ushtrisë së Kosovës, është vonuar për disa vite. “Unë nuk e di pse ka ndodhur. Duhet të kemi të qartë se KFOR-i nuk do të qëndrojë përherë në Kosovë, ndoshta deri në 5 vite, ose më shumë”, ka thënë ai.
Sipas Serwer, krijimi i një sigurie të fuqishme duhet të marrë prej 5 deri në 10 vite kohë.
“Ju duhet t’i keni kapacitetet të paktën për mbrojtje të përkohshme të sovranitetit dhe të integritetit të vendit, deri sa të vijë NATO-ja në ndihmë”, ka thënë ai.
Serwer ka deklaruar se Kosova ka fqinjë që janë të fortë.
“Aq sa Serbia nuk e njeh dhe të paktën deri sa të mos e pranojë në OKB, keni parasysh seriozisht se ekziston kërcënimi nga Serbia. Ajo nuk e donë gjithë Kosovën, por veriun apo edhe disa enklava”, ka thënë ai.
Serwer ka vlerësuar nismën e Thaçit për transformimin e FSK-së.
“Mendoj se është nismë e mirë për të ngritur këtë çështje dhe për të shtyrë përpara, por do të ishte më e mirë bashkë me serbët se sa kundër serbëve, mendoj për serbët në Kosovë. Është e qartë se do të ju duhet mbështetje të NATO-s. Ushtria e NATO-s, varet nga procesi se si e krijoni ushtrinë”, ka thënë ai.
Sa i përket reagimit të SHBA-vë në këtë çështje ai, ka thënë se mbështetje e serbeve është e rëndësishme.
Sa i përket politikave të administratës së re amerikane, Serwer ka thënë se pret të ketë vazhdimësi në Ballkan.