Telegrafi

Servais: Belgjika gjithmonë ka besuar në Kosovën dhe në popullin e saj

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Albin Kurti u takua në zyrën e tij me Shefin e Zyrës Belge në Kosovë, Jean-Louis Servais, me të cilin biseduan për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Kurti pranoi urimet nga Servais për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare dhe pozitën e tij të re.

Sipas tij, në këto zgjedhje qytetarët e Republikës së Kosovës kanë përçuar një mesazh pozitiv mbi pjekurinë demokratike në vend.

“Belgjika gjithmonë ka besuar në Kosovën dhe në popullin e saj”, tha ndër të tjera Servais, duke e vlerësuar Kosovën, vend me përparësi të mëdha, veçanërisht për shkak të moshës së re mesatare të popullatës.

Ai po ashtu tha se Belgjika e mbështet Republikën e Kosovës në synimet e saj për integrim evropian duke përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

Kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën e sotme dhe urimet.

Kurti tha se prioritetet e tij dhe qeverisë së tij janë drejtësia dhe punësimi, porse në ballafaqim me pandeminë prioritet mbi prioritete është sigurimi sa më parë i dozave të reja të vaksinave kundër Covid-19.

Kryeministri Kurti e njoftoi diplomatin belg Servais për mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe për masat e reja anti Covid-19, të cilat e komplementojnë atë proces.

Në takim u bisedua edhe për mundësitë dhe format e shtimit të investimeve ekonomike dhe shkëmbimit tregtar midis dy vendeve tona, me theks të posaçëm te mërgata jonë. /Telegrafi/