Sami Sermaxhaj është shkarkuar nga pozita e trajnerit te klubi nga Theranda, Ballkani.
Ka qenë vetë klubi i rikthyer këtë edicion në Ipko Superligë që ka konfirmuar ndërprerjen e marrëveshjes me trajnerin prishtinas.
Por ky i fundit, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, ka zbuluar edhe arsyejen e shkarkimit.
Sermaxhaj ka thënë se nuk u pajtua me kryesinë e klubit për masat disiplinore ndaj lojtarëve pas humbjes së fundit nga Trepça ’89 (2-1).
“Kryesuesit e klubit nuk kanë qenë të kënaqur me ecurinë e rezultateve të fundit, por po ashtu unë pas lojës së fundit nuk jam pajtuar me propozimet e tyre mbi masat disiplinore ndaj lojtarëve, kështu që vendosëm të ndërpresim bashkëpunimin”.
“Dua të sqaroj që bashkëpunimi është ndërprerë me propozimin e kryesisë, e jo nga ana ime ngase me rastin e prezantimit tim në klub në prezencë të lojtarëve dhe stafit udhëheqës jemi dakorduar që objektivi kryesor këtë sezon është mbetja në Superligë, kurse objektiv shtesë Kupa e Kosovës, kështu që KF Ballkani sot nuk është në zonën e barazhit dhe po ashtu i kualifikuar në gjysmëfinale të kupës së Kosovës (për herë të parë në histori të klubit) dhe kam qenë i gatshëm të punoj deri në fund të edicionit për realizimin e objektivave të klubit”, u shpreh Sermaxhaj.
Portokallinjtë ende nuk e kanë zyrtarizuar trajnerin Gani Sejdiu, por Sermaxhaj i ka uruar fat teknikut mitrovicas në krye të Ballkanit.
“Dua ti falënderoj dhe njëkohësisht ti uroj shumë suksese udhëheqëseve të klubit, bashkëpunëtorëve profesional, lojtarëve dhe publikun Suharekas për mbështetjen e deritanishme”.
“Trajnerit Gani Sejdiut i uroj punë të mbarë dhe shumë suksese me FC Ballkanin”, thuhet në shkrimin e Sermaxhajt. /Telegrafi/